Historia jonë është e përmbushur me shembuj të shumtë të atdhedashurisë shqiptare. Misionarët e saj i kemi gjithandej : që nga jugu i Çamërisë e deri tejmatanë brigjeve të Dardanisë, Prekazi, Sllupçani, Poroji, Drenica, Shipkovica, e qindra qendra shqiptare të martirizuara. Trojet tona janë të mbushura me eshtra martirësh. Në varrezat e Shipkovicës, që gjenden tejmatanë fshatit, prehen eshtrat e Sadudinit të shenjtë, që e persekutuan deri në atë shkallë udbashët e ish-Jugosllavisë, saqë ia shembën edhe shëndetin e shpirtit. Duke vajtur gjurmave të Sadudin Gjurës, kuptojmë se edhe në atë gjendje të traumave të papërshkruara shpirtërore, u nis me shpirtin e tij të shenjtë për të kaluar kufirin, duke i lënë eshtrat tejmatanë Lerës së Veshallës, për të vajtur përjetë, në botën e engjëjve. Kështu e përshkruajnë, ata që e mbajnë mend, jetën heroike të Sadudin Gjurës, ndër të cilët edhe arsimtari i parë i Shipkovicës, Murtezan Katzadei, veteran i arsimit shqiptar me prejardhje nga Elbasani.
Murtezani pat vepruar në këto troje, ndërmjet viteve 1939–1944, duke qenë i dekoruar nga Qeveria Shqiptare me Urdhërin “Naim Frashëri” të Kl. I. E kemi parë në një fotografi të asaj kohe, sëbashku me nxënësit e Sh. F. “Rexhep Voka”, duke mbajtur uniforma shkollare dhe parollat “Rroftë Shkolla Shqipe !”, “Rroftë Flamuri !”, “Rroftë Shqipëria !”. “Murtezanin e kam pasur dy vjet mësues, na thotë njëri prej ish nxënësve. E mbaj mend edhe sot vjershën e parë që na e pat mësuar atë vit, kur qe kremtuar solemnisht, Dita e Flamurit në Shipkovicë (1942).
Kujtimet e bashkëfshatarëve tanë janë të freskëta, bindëse dhe interesante. I emëruar përmes një dekreti nga Qeveria Shqiptare, kryetar i Komunës së Shipkovicës, asokohe ishte Sefedin Kërçova, patriot me përvojë, që nga Kolonia Shqiptare e Bukureshtit.
Sefedin Kërçova, përndryshe njihej për së afërmi me bashkatdhetarët e Shipkovicës ngase disa prej tyre, kishin qenë veprimtar të dalluar të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Para se të vijë të drejtojë komunën dhe të ndihmojë shkollën e Shipkovicës, Sefedin Kërçova kishte botuar në fushë të shqiptarizmës, edhe artikuj në shtyp : “Kolonia Muhamedane e Shqiptarëve të Bukureshtit” “Java” (Tiranë, 1937).